Godo: Haradinaj i duhet Kosovës
Politikani i njohur Sabri Godo del në mbrojtje të figurës së Ramush Haradinajt. Ai e konsideron të gabuar dhe si një sulm politik rihapjen e gjyqit ndaj njërit prej krerëve të UCK-së në Hagë. “Kosovës i duhet Haradinaj”, shprehet Godo në një intervistë për Alsat, duke pohuar edhe keqardhjen për mungesën e tij në mitingun “pro” liderit të partisë “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”.
“Është një nismë që duhet përkrahur nga gjithë shqiptarët, veçanërisht nga shqiptarët e Kosovës. Gjykata e Hagës është jashtë kritikës si institucion, megjithatë ngrihet pyetja: Si është e mundur të merret në gjykim një njeri për të dytën herë për të njëjtën akuzë? Me sa duket duhet të jenë sajuar dëshmitarë të rinj, me nxitje nga jashtë, ndoshta dhe nga brenda dhe kjo është një gjë shumë e keqe. Dua me këtë rast të përshëndes familjen e tij, t’i shtrëngoj dorën me nderin Ilmi Haradinajt, të atit të tij, që i ka dhënë Kosovës tre djem dëshmorë, pavarësinë dhe demokracinë. Në periudhën e shkurtër që ishte kryeministër ishte njeriu që u shtriu dorën serbëve me gjithë krimet e përbindshme që kanë bërë në Kosovë, veproi me një kurajo politike të madhe. Edhe kësaj here do të qëndrojë po njëlloj, në lartësinë e duhur. Ramushi është një njeri që i duhet Kosovës. Më shkaktoi keqardhje të thellë që kjo erdhi fill pas vendimit të gjykatës ndërkombëtare të Hagës për pavarësinë e Kosovës. Gjithsesi duhet të kalojë, por Ramushit nuk duhet t’i mungojë përkrahja, pa rezerva, e të gjithëve”, ka thënë Godo.
*Lajmetsot mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të botohen, sikur që mban të drejtën e shkurtimit të tyre.
*Lajmetsot nuk boton komente ku përdoren fyerje, urrejtje racore, fetare dhe kombëtare.




Komente ( publikuar):