Lobimi i lë diplomatët kosovarë pa pushime
Diplomatët mund t’i gëzohen dy herë njohjes së shtetit të Kosovës nga një vend: një herë për shtetin e një herë për vete. Herën e dytë për arsye se nëse nuk ka ardhje të njohjeve në adresë të Kosovës, atyre mund t’u shtyhet edhe për herë të dytë pushimi. Se vërtet mund të ndodhë një gjë e tillë e ka thënë për gazetën zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, të premten. Ajo ka treguar se fillimisht në kuadër të instruksioneve, diplomatëve u ishte thënë që të pezullonin pushimet e verës deri më 10 gusht, porse mund të jenë zhvillimet që mund t’ua shtyjnë atyre sërish ato.
“Ne në komunikimin tonë fillestar u kemi kërkuar të gjithë punonjësve të stafit diplomatik që të pezullojnë pushimet deri më datën 10 gusht, në mënyrë që të jenë të përqendruar në aktivitetet lobuese për rritjen e numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës”, ka treguar Çitaku. “Ne varësisht nga zhvillimet do të japim edhe korrespodencën e dytë më 10 gusht, megjithatë nuk ka asgjë definitive, sepse kjo duket që do të jetë një verë e gjatë për misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, por e rëndësishme është që të jetë e suksesshme ashtu siç duket se do të jetë”.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme ka theksuar se veç ministrit Skënder Hyseni, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për punën e njohjes së shtetit të Kosovës atij “s’ia lëshojnë rrugën” as diplomatët kosovarë. "Ne nuk mund të flasim në detaje për aktivitetet e shërbyesve tanë diplomatikë, por megjithatë ka takime të dendura”, ka thënë Çitaku. “Secili prej tyre po e bën pjesën e tij të punës duke u takuar me përfaqësuesit e vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe duke e afirmuar Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
Asnjë njohje nuk ka ardhur në adresë të Kosovës qëkur GJND-ja ka dhënë mendimin e saj, ndërsa Prishtina dhe Beogradi tashmë janë futur në një “maratonë” të re diplomatike. Deri më tash Kosova është njohur nga 69 shtete. E fundit që e ka njohur Kosovën është Republika e Somalisë, më 19 maj të këtij viti.
*Lajmetsot mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të botohen, sikur që mban të drejtën e shkurtimit të tyre.
*Lajmetsot nuk boton komente ku përdoren fyerje, urrejtje racore, fetare dhe kombëtare.




Komente ( publikuar):